Përditësime nga puna në terren në të gjithë hapësirën e shpërndarjes së rrëqebullit të Ballkanit
Puna në terren mbetet një nga shtyllat kryesore të Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit (BLRP). Për të mbështetur objektivin e programit për krijimin e një sistemi të besueshëm monitorimi dhe zhvillimin e kërkimeve të fokusuara mbi ekologjinë dhe nevojat e rrëqebullit të Ballkanit, partnerët tanë në Shqipëri, në Republikën e Maqedonisë e Veriut dhe Kosovë vazhdojnë punën intensive në terren. Gjatë muajve të fundit, në Shqipëri është ngritur një rrjet i ri monitorimi me kamera kurth, në Maqedoninë e Veriut një rrëqebull femër është pajisur me transmetues satelitor GPS, ndërsa në Kosovë është identifikuar një individ i panjohur më parë brenda një parku kombëtar.

© ERA
Shqipëria
Programi i parë kombëtar i monitorimit të rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri është aktualisht në zhvillim, duke mbuluar disa nga habitatet më të rëndësishme të rrëqebullit dhe llojeve pre të tij. Studimi njëvjeçar përfshin 55 qeliza monitorimi prej 20x20 km² në një sipërfaqe prej rreth 22,000 km² dhe synon të forcojë njohuritë mbi shpërndarjen e rrëqebullit dhe ndërlidhjen e habitateve të tij.
Në kuadër të BLRP-së, po krijohet një rrjet kombëtar monitorimi me kamera kurth, me 150 kamera të planifikuara për t’u vendosur në terren. Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike dhe terrenit sfidues malor gjatë dimrit dhe fillimit të pranverës 2025/2026, deri tani janë instaluar 85 kamera, përfshirë edhe kamera celulare që transmetojnë informacion në kohë reale. Fotot e mbledhura nga veriu dhe lindja e Shqipërisë kanë konfirmuar tashmë praninë e rrëqebullit të Ballkanit dhe të disa llojeve pre. Kjo punë po realizohet nga PPNEA në bashkëpunim me institucionet lokale dhe në koordinim me partnerët nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Maqedonia e Veriut
Një tjetër individ femër rrëqebull i Ballkanit u pajis me sukses me transmetues satelitor GPS në prill 2026 në zonën malore Baba Sach. E pagëzuar me emrin Blagica, sipas festës maqedonase Blagovec, individi femër në gjendje të mirë shëndetësore vlerësohet të jetë 4–5 vjeç dhe peshon 17 kg.
Përpara lëshimit në natyrë, veterinerët kryen kontrolle shëndetësore dhe morën mostra biologjike si pjesë e procesit të monitorimit. Që prej pajisjes me GPS, Blagica është zhvendosur në malet Baba Sach dhe Ilinska-Plakenska, një zonë ku lëvizjet e rrëqebullit nuk ishin monitoruar më parë përmes radiotelemetrisë. Preja e saj e parë e konfirmuar u identifikua më vonë, duke treguar se vazhdon të jetë në gjendje të mirë. Monitorimi po kryhet nga ekipi i rrëqebullit në Shoqatën Ekologjike të Maqedonisë (MES) në bashkëpunim me partnerë lokalë të gjuetisë dhe ekspertë veterinarë, duke kontribuar me të dhëna të rëndësishme mbi riprodhimin dhe rimëkëmbjen e popullatës së rrëqebullit të Ballkanit, lloj në rrezik kritik për zhdukje.
Kosova
Në Kosovë, puna e fundit në terren është fokusuar në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, në zonat e Pejës dhe Istogut, veçanërisht në pjesën veriore të rajonit. Aktivitetet synonin përmirësimin e përpjekjeve monitoruese dhe identifikimin e habitateve të rëndësishme dhe korridoreve të lëvizjes për rrëqebullin e Ballkanit.
Një nga arritjet kryesore të sezonit të fundit në terren ishte identifikimi me sukses i një individi të ri rrëqebulli. Në të njëjtën kohë, ekipet në terren u përballën me disa sfida, përfshirë vjedhjen e kamerave dhe aksesin e kufizuar pranë kufijve me Malin e Zi dhe Shqipërinë, ku disa zona ende përmbajnë mina tokësore, pavarësisht se konsiderohen korridore të mundshme të lëvizjes së jetës së egër. Në muajt në vijim, monitorimi do të vazhdojë në zonën e zgjeruar të Parkut Kombëtar Mokna, ndërsa vëzhgime të tjera janë planifikuar edhe në rajonet e Pashtrikut dhe Koritnikut përgjatë kufirit me Shqipërinë.




