Programi i Rimëkëmbjes

© BLRP© BLRP

© BLRP

Origjina

Programi i Rimëkëmbjes së Rrëqebullit të Ballkanit (BLRP) nisi në vitin 2006 si një përgjigje ndaj statusit kritik të rrëqebullit të Ballkanit (Lynx lynx balcanicus). Duke qenë se rimëkëmbja e një specieje kërkon kohë, BLRP është zgjeruar ndër vite duke u shndërruar në një program afatgjatë. Ky program nisi si një përpjekje ndërkufitare, e zbatuar nga organizatat kombëtare për ruajtjen e natyrës, si Shoqata Ekologjike e Maqedonisë - MES në Maqedoninë e Veriut dhe Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri - PPNEA, me mbështetje shkencore të organizatës KORA në Zvicër dhe nën koordinimin e EuroNatur në Gjermani. Që prej vitit 2013, programi është zgjeruar edhe në Kosovë, në bashkëpunim me grupin ERA.

© Sebastian Kennerknecht© Sebastian Kennerknecht

© Sebastian Kennerknecht

Objektivat

Objektivi kryesor i BLRP është rikthimi i një popullate të qëndrueshme të rrëqebullit të Ballkanit, objektiv i cili synohet të përmbushet përmes strategjive të mëposhtme:

  • Kërkim dhe monitorim: Gjenerimi i të dhënave të besueshme përmes monitorimit sistematik dhe kryerja e kërkimeve të targetuara për të kuptuar më mirë ekologjinë dhe nevojat e rrëqebullit të Ballkanit.
  • Zhvillimi i politikave: Advokimi për përmirësimin e legjislacionit dhe forcimin e zbatimit të ligjeve për të adresuar kërcënimet kryesore dhe për të siguruar mbrojtjen afatgjatë të rrëqebullit dhe habitateve të tij.
  • Mbrojtja e habitateve: Zgjerimi i zonave të mbrojtura, si parqet kombëtare, dhe rritja e efektivitetit të tyre në ruajtjen e biodiversitetit. Kjo strategji synon promovimin e praktikave të qëndrueshme të menaxhimit të pyjeve dhe faunës së egër për të siguruar praninë e presë dhe, ruajtjen e ekuilibrave ekologjike.
  • Angazhimi i aktorëve: Bashkëpunimi me komunitetet lokale, gjuetarët dhe autoritetet për të promovuar bashkëjetesën, për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të ulur gjuetinë e paligjshme të rrëqebullit dhe presës së tij.
  • Edukimi dhe ndërgjegjësimi: Rritja e ndërgjegjësimit dhe informacionit të publikut mbi rrëqebullin e Ballkanit, habitatin, statusin kritik dhe nevojës urgjente për mbrojtjen e tij.
© PPNEA© PPNEA

© PPNEA

Arritjet

Gjatë viteve, BLRP ka kontribuar në rritjen e njohurive dhe gjenerimin e të dhënave shkencore, konkretisht:

  • Vlerësimi i popullatës: BLRP konfirmoi ekzistencën e rrëqebullit të Ballkanit dhe hartëzoi shpërndarjen e tij përmes vrojtimeve në terren dhe monitorimit sistematik me kamera-kurth. Këto të dhëna shkencore kontribuan në vlerësimin e statusit të rrëqebullit të Ballkanit si lloj i rrezikuar në mënyrë kritike dhe listimin e tij në Listën e Kuqe të IUCN.
  • Gjurmimi me GPS: 14 individë rrëqebulli janë pajisur me gjurmues (GPS), duke siguruar të dhëna mbi madhësinë dhe zotërimin e territorit, përcaktimin e dietës, dhe rritjen e njohurive në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
  • Shpallja e Zonave të Mbrojtura: Programi ka kontribuar në krijimin e Zonave të Mbrojtura si Munella në Shqipëri, Bjeshkët e Nemuna në Kosovë dhe Sharri në Maqedoninë e Veriut, të cilat janë shumë të rëndësishme për ruajtjen e rrëqebullit.
  • Listimi në konventa ndërkombëtare: Rrëqebulli i Ballkanit u përfshi në Shtojcën II të Konventës së Bernës në 2017 dhe në Shtojcën I të Konventës për Ruajtjen e Llojeve Shtegtuese (CMS) në 2024. Kjo e fundit forcon përpjekjet ndërkufitare dhe krijon bazën për një strategji rajonale të ruajtjes dhe plane kombëtare veprimi për mbijetesën e specieve.
  • Bashkëpunimi me aktorët: Ndërtimi i marrëdhënieve të besueshme me autoritetet dhe grupet e interesit si gjuetarët, Administrata e Zonave te Mbrojtura, etj., në të tre vendet është një gur themeli i BLRP. Ky bashkëpunim ndihmon në forcimin e përgjegjësisë së përbashkët për ruajtjen e rrëqebullit dhe rrit efektivitetin e masave mbrojtëse.
  • Komunikimi: BLRP ka zbatuar disa fushata për rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi rëndësinë e rrëqebullit të Ballkanit dhe sfidat me të cilat përballet. Programi përfshin aktivitete edukative për nxënësit, bashkëpunim me përfaqësuesit e medias dhe shpërndarje informacioni për publikun e gjerë.

Janë hedhur themelet për mbrojtjen afatgjatë të rrëqebullit të Ballkanit. Tani duhet të vazhdojmë punën për të arritur objektivin tonë kryesor: rikthimin e një popullate të qëndrueshme të rrëqebullit të Ballkanit.

© Sebastian Kennerknecht© Sebastian Kennerknecht

© Sebastian Kennerknecht

Perspektiva për të ardhmen

Duke qenë se popullata e rrëqebullit të Ballkanit ka qenë e vogël për dekada me radhë, diversiteti i ulët gjenetik është një shqetësim në rritje. Studimet kanë treguar një nivel të lartë të uljes së diversitetit gjenetik krahasuar me popullatat e tjera të rrëqebullit në Europë. Për këtë arsye, po shqyrtojmë mundësinë e forcimit të popullatës përmes një vlerësimi të detajuar, i cili do të analizojë aspektet biologjike, ekologjike dhe sociale nëpërmjet një plani të mundshem për shtimin e numrit të popullatës.

Paralelisht me këtë iniciativë, komponentët e tjerë të projektit – monitorimi dhe kërkimi shkencor, angazhimi i komunitetit, komunikimi dhe lobimi për politika më të forta mjedisore – do të vazhdojnë të sigurojnë një qasje gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e rrëqebullit.

Një moment kyç për vitin 2025 do të jetë hartimi i Strategjisë Rajonale të Mbrojtjes për rrëqebullin e Ballkanit, një nismë e propozuar dhe miratuar nga Konventa e Llojeve Shtegëtuese.