Rrëqebulli i Ballkanit

© Harta: BLRP / burimi i hartave: Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) dhe EuroGeographics© Harta: BLRP / burimi i hartave: Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) dhe EuroGeographics

© Harta: BLRP / burimi i hartave: Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) dhe EuroGeographics

Shpërndarja, territori dhe popullata

Rrëqebulli i Ballkanit (Lynx lynx balcanicus), një nënlloj i rrëqebullit euroaziatik, është një specie endemike e Ballkanit jugperëndimor dhe klasifikohet si e rrezikuar në mënyrë kritike. Ky gjitar i rrallë ka nënpopullatat e tij kryesore në Parkun Kombëtar të Mavrovës dhe zonat përreth në Maqedoninë e Veriut, Parkun Natyror të Munellës, si dhe ekosistemin Polis - Gur i Zi - Valamarë në Shqipëri. 

Individë të rrëqebullit gjenden edhe në Kosovë, dhe të dhënat tregojnë se mund të jetë i pranishëm edhe në Malin e Zi dhe Greqi. Sipas vlerësimeve më të fundit, popullata e tij numëron më pak se 50 individë të maturuar dhe shtrihet në një rajon prej rreth 6,200 km².

© Panajot Chorovski© Panajot Chorovski

© Panajot Chorovski

Sjellja dhe Ekologjia

Rrëqebulli i Ballkanit ndjek një sistem territorial të ngjashëm me atë të nënllojeve të tjerë të rrëqebullit. Meshkujt mbulojnë një territor më të madh (220–700 km²) krahasuar me femrat (100–200 km²), ndërsa mbivendosja e territoreve lehtëson riprodhimin. Lindjet zakonisht ndodhin në fund të pranverës, mes muajve maj dhe qershor, pas një periudhe shtatzënie prej rreth 70 ditësh pas çiftëzimit në fund të dimrit ose fillim të pranverës. Këlyshët qëndrojnë me nënën deri në dhjetë muaj, përpara se të largohen për të krijuar territoret e tyre. Distanca e përhapjes ndryshon midis meshkujve dhe femrave. Meshkujt lëvizin më larg se femrat, të cilat shpesh vendosen pranë zonës së lindjes së tyre.

Rrëqebulli i Ballkanit është nje mishngrënës që gjuan kryesisht njëthundrakët e vegjël ku përfshihen kaprolli (Capreolus capreolus) dhe dhia e egër (Rupicapra rupicapra balcanica). Lepuri i egër (Lepus europaeus) përfaqeson një burim alternativ ushqimi, në zona ku njëthundrakët janë të paktë në numër. Aftësia për tu riprodhuar në mënyrë të suksesshme dhe mbijetesa e llojit varet nga disponushmëria e presë dhe cilësia e habitatit.

© Sebastian Kennerknecht© Sebastian Kennerknecht

© Sebastian Kennerknecht

Habitati

Rrëqebulli i Ballkanit jeton në zona malore dhe pyjore, duke preferuar veçanërisht pyjet e dendura që ofrojnë mbulesë për ndjekjen e presë dhe strehimin. Pyjet e vjetër dhe peizazhet e përziera me vegjetacion të pasur janë me rëndësi të veçantë, pasi sigurojnë kushtet e nevojshme për mbijetesën e presë, si kaprolli dhe lepuri. Rrëqebulli gjendet në lartësi nga 600 deri në 2,000 metra mbi nivelin e detit. Fragmentimi i vazhdueshëm i habitatit të rrëqebullit, i shkaktuar nga aktiviteti njerëzor si prerja e pyjeve, bujqësia dhe zhvillimi i infrastrukturës, përbëjnë një kërcënim serioz për mbijetesën e tij.

© PPNEA© PPNEA

© PPNEA

Kërcënimet

  • Humbja e habitatit: Shpyllëzimi, zhvillimi i infrastrukturës dhe zjarret në natyrë kanë shkatërruar dhe fragmentuar habitatet e përshtatshme për rrëqebullin.
  • Gjuetia e paligjshme: Vrasja e paligjshme e rrëqebullit dhe e presë së tij, si kaprolli dhe dhia e egër.
  • Reduktimi i presë: Praktikat e paqëndrueshme të gjuetisë dhe menaxhimit të faunës së egër, të kombinuara me zbatimin e dobët të ligjeve, reduktojnë disponueshmërinë e presë për rrëqebullin.
  • Rreziqet gjenetike: Popullata e vogël dhe e izoluar kanë çuar në ulje të diversitetit gjenetik, gjë që mund të ndikojë negativisht në suksesin riprodhues të llojit.
© MES© MES

© MES

Historia, taksonomia, dhe rëndësia kulturore

Rrëqebulli i Ballkanit ka një histori të gjatë në Gadishullin e Ballkanit. Dikur i përhapur gjerësisht, popullata e tij pësoi një rënie të ndjeshme në shekullin XX për shkak të gjuetisë në masë dhe shkatërrimit të habitatit. Këta faktorë ndikuan negativisht në uljen e numrit dhe përhapjes duke u përqëndruar në zonat e thella pyjore. Masa të ndryshme për ruajtjen e tij, përfshirë mbrojtjen ligjore që nga viti 1940 dhe krijimin e Zonave të Mbrojtura në vitet 1950, sollën një stabilizim të përkohshëm të popullatës. Megjithatë, trazirat politike dhe shtimi i gjuetisë së paligjshme në dekadat e fundit të shekullit XX çuan në një rënie të mëtejshme të popullatës.

Rrëqebulli i Ballkanit u identifikua si nënlloj (Lynx lynx balcanicus) në vitin 1941 nga Ivan Buresh. Analizat gjenetike të mëvonshme kanë konfirmuar këtë klasifikim, duke e vendosur rrëqebullin e Ballkanit si një linjë e veçantë në evolucion.

Nga ana kulturore, rrëqebulli i Ballkanit është një lloj emblematik në rajon. Në legjenda dhe folklor, shpesh përshkruhet si një gjahtar i shkathët dhe i pakapshëm, duke simbolizuar qëndrueshmërinë dhe pavarësinë.

Historia e pasur dhe rëndësia kulturore e rrëqebullit të Ballkanit, së bashku me statusin e tij kritik të ruajtjes, theksojnë nevojën urgjente për bashkëpunim për mbrojtjen e tij.