Dëshmi të reja të riprodhimit të rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri
PPNEA, organizatë partnere e BLRP-së, ka regjistruar një rrëqebull të rritur të Ballkanit së bashku me këlyshin e tij në Parkun Kombëtar të Shebenikut. Kjo dëshmi shkencore e riprodhimit vjen në një moment vendimtar për popullatën e rrezikuar në mënyrë kritike.

© PPNEA
Pamjet e regjistruara gjatë vjeshtës së vitit 2026, në kuadër të monitorimit kombëtar me kamera kurth nga PPNEA, në bashkëpunim me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura në Elbasan, ofrojnë dëshmi të rëndësishme të riprodhimit dhe informacion të vlefshëm për përpjekjet për ruajtjen e këtij nënlloji.
Ky regjistrim vjen në një moment kritik për ne, teksa po përgatitemi për hapat e ardhshëm drejt zbatimit të strategjisë për përforcimin gjenetik të popullatës. Edhe pse kjo dëshmi e riprodhimit natyror është inkurajuese, ajo nuk e zvogëlon nevojën për të adresuar cenueshmërinë gjenetike të popullatës. Rrëqebulli i Ballkanit (Lynx lynx balcanicus) mbetet i rrezikuar në mënyrë kritike, me një popullatë të vogël dhe të fragmentuar që përballet me kërcënime që i rrezikojnë mbijetesën. Përveç diversitetit të ulët gjenetik, kërcënimet kryesore janë vrasja e paligjshme, humbja dhe fragmentimi i habitatit.
Prania e këlyshit është një shenjë inkurajuese, por një regjistrim i vetëm nuk mjafton për të dëshmuar rritjen apo rimëkëmbjen e popullatës. Pikërisht për këtë arsye ka rëndësi kërkimi shkencor dhe monitorimi afatgjatë. Ato na ndihmojnë të kuptojmë gjendjen e popullatës, të identifikojmë habitatet kritike dhe kërcënimet, si dhe të hartojmë masa ruajtjeje të bazuara në dëshmi të verifikueshme. Kërkimi shkencor duhet të jetë në themel të vendimeve që prekin zonat e mbrojtura.
Parku Kombëtar i Shebenikut, në lindje të Shqipërisë, është një habitat jetik për rrëqebullin e Ballkanit. Pyjet e tij, popullatat e llojeve që i shërbejnë si pre dhe korridoret ekologjike janë thelbësore për lëvizjen, ushqyerjen dhe riprodhimin e rrëqebullit. Prania e dokumentuar e këlyshit ofron një dëshmi të mëtejshme konkrete për rëndësinë e mbrojtjes së këtij ekosistemi si një vend ku rrëqebujt mund të riprodhohen dhe të rrisin brezin e ardhshëm.
Mbrojtja e këtij habitati dhe ruajtja e integritetit të tij ekologjik janë thelbësore për mbijetesën afatgjatë të rrëqebullit të Ballkanit. Vendimet që prekin këto ekosisteme duhet të merren në mënyrë transparente, me llogaridhënie dhe duke peshuar me kujdes pasojat e tyre afatgjata. Mbrojtja e këtij parku kombëtar në tërësinë e tij është thelbësore!


