BLRP në skenën ndërkombëtare
Këtë vjeshtë, Programi për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit (BLRP) u bë pjesë e dy eventeve të rëndësishme ndërkombëtare: Kongresit të IUCN-së në Abu Dhabi dhe takimit EUROlynx në Belgjikë.

© BLRP
EUROLYNX
Ekipi i rrëqebullit mori pjesë në takimin EUROlynx (13–15 tetor 2025), një platformë që bashkon komunitetin kërkimor evropian për rrëqebullin, me synim ndarjen e risive shkencore dhe forcimin e bashkëpunimive të reja.
Eventi mblodhi mbi 100 pjesëmarrës nga e gjithë Evropa dhe përfshiu 30 prezantime dhe 8 postera shkencorë.
BLRP u përfaqësua nga Ines Moreno me prezantimin “Skenarët e Menaxhimit të Rrëqebullit të Ballkanit”, ndërsa përmes dy posterave të dedikuar u paraqitën rezultatet kërkimore mbi vlerësimin e dendësisë së presë së rrëqebullit, konkretisht të kaprollit dhe lepurit të egër.
Kongresi i IUCN në Abu Dhabi
BLRP mori pjesë gjithashtu në Kongresin e IUCN, i zhvilluar në Abu Dhabi nga 9 deri më 15 tetor 2025. Në stendën e PPNEA-s, u prezantuan materiale informuese dhe promovuese, përfshirë broshurën e sapobotuar dedikuar rrëqebullit të Ballkanit, ndërsa u zhvilluan edhe takime me vizitorë të interesuar për punën tonë mbi ruajtjen e tij. Një falënderim i veçantë shkon për PPNEA-n, për mundësinë e vyer!





