Shqipëria
#NatureLynxUs: Fushatë ndërgjegjësimi në rrugët e Tiranës
Që prej 27 shtatorit 2024, një mural i dedikuar rrëqebullit të rrezikuar të Ballkanit, është bërë pjesë e peizazhit urban të Tiranës. I pikturuar në shkollën 9-vjeçare "Vasil Shanto", pranë një prej kryqëzimeve më të frekuentuara të qytetit, murali #NatureLynxUs ndërthur artin, ruajtjen e natyrës dhe angazhimin e komunitetit për të rritur ndërgjegjësimin mbi këtë lloj kritikisht të rrezikuar.

© PPNEA
Një mural me një mision
Murali, i realizuar nga artisti Franko Dine, paraqet rrëqebullin e Ballkanit dhe shoqërohet me sloganin "Nature Lynx Us". Ky lojë fjalësh thekson lidhjen mes njeriut dhe natyrës, duke nxjerrë në pah nevojën urgjente për mbrojtje. Projekti nisi në fillim të vitit shkollor, kur nxënësit dhe stafi morën pjesë në një sesion mbi Programin për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit (BLRP).
Ky mural është pjesë e një fushate më të gjerë për të rritur ndërgjegjësimin mbi rrëqebullin e Ballkanit, një specie me më pak se 50 individë të mbetur në Ballkanin jugperëndimor. Kërcënimet kryesore përfshijnë gjuetinë e paligjshme, shkatërrimin e habitatit, infrastrukturën gri dhe zjarret në pyje. I frymëzuar nga të dhënat e kamerave kurth në rajonin e Polis-Valamarës, projekti synon të shtrihet edhe në qytete të tjera si Elbasani, Puka dhe Pogradeci, rajone ku rrëqebulli I Ballkanit riprodhohet.
Arti takon veprimin
Murali nxjerr në pah sfidat me të cilat përballet rrëqebulli i Ballkanit dhe promovon përpjekjet për mbrojtjen e tij. Duke sjellë çështjet e ruajtjes së biodiversitetit në hapësirat urbane, fushata #NatureLynxUs, e udhëhequr nga PPNEA, partnere e BLRP, lidh mbrojtjen e jetës së egër me përditshmërinë tonë. Me zgjerimin e saj, kjo nismë inkurajon komunitetet të angazhohen në mënyrë aktive për mbrojtjen e rrëqebullit përmes artit, edukimit dhe veprimeve konkrete për ruajtjen e natyrës, duke theksuar përgjegjësinë e përbashkët për të parandaluar zhdukjen e tij.