Regjistrim i ri i rrëqebullit të Ballkanit: Një individ i njohur dokumentohet në një zonë të re
Një rrëqebull i Ballkanit, i regjistruar më parë në zonën Polis–Valamarë, është dokumentuar tashmë mes Korçës dhe Skraparit, në pikën më jugore të Shqipërisë. Regjistrimi i ri zgjeron njohuritë tona për lëvizjet e këtij individi dhe ofron të dhëna të rëndësishme për të hulumtuar lidhjet e mundshme ekologjike mes habitateve.

© PPNEA
Pamjet nga kamerat kurth i mundësuan ekipit të PPNEA-s të identifikonte rrëqebullin përmes modelit karakteristik të njollave në anët e trupit, shpatulla, këmbë dhe pjesë të tjera të dukshme. Krahasimi me fotografitë në bazat e të dhënave të PPNEA-s dhe të Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit, (BLRP-së) përfshirë regjistrimet nga zona e Valamarës në vitin 2020, konfirmoi se bëhet fjalë për të njëjtin individ të dokumentuar më parë në zonën Polis–Valamarë.
Regjistrimi i ri shton një tjetër vendndodhje në të dhënat mbi lëvizjet e njohura të këtij individi. Ndonëse nuk zbulon rrugën e saktë që ka ndjekur, ai ofron një pikënisje të vlefshme për të hulumtuar mënyrën se si rrëqebulli lëviz në një peizazh më të gjerë dhe nëse ekziston një lidhje ekologjike mes këtyre zonave. Këto lidhje janë veçanërisht të rëndësishme për rrëqebullin. Korridoret ekologjike u mundësojnë kafshëve të lëvizin mes habitateve të përshtatshme në kërkim të ushqimit, strehimit dhe individëve të tjerë. Fragmentimi i habitateve, nga ana tjetër, mund të izolojë zona që përndryshe do të ishin të përshtatshme për to.
![]()
Poligoni paraqet zonën Polis–Valamarë–Ostrovicë në Shqipëri, ku prania dhe riprodhimi i rrëqebullit të Ballkanit në Polis–Valamarë u konfirmuan në vitin 2020. Në vitin 2026, një individ u dokumentua më në jug, në malin e Ostrovicës, duke përfaqësuar regjistrimin më jugor të konfirmuar të rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit. © PPNEA
Në këtë fazë, ende nuk është e qartë se çfarë roli luan zona e re e dokumentuar për këtë rrëqebull. Mund të shërbejë si një kalim mes habitateve ose të jetë pjesë e një zone më të gjerë që përdoret nga ky lloj. Nevojitet monitorim i mëtejshëm për të përcaktuar nëse rrëqebulli kthehet rregullisht, gjen ushqim apo strehim aty, ose thjesht ka vendosur një territor të ri.
Monitorimi i mëtejshëm do të ndihmojë në sqarimin e rolit të kësaj zone në lëvizjet e rrëqebullit dhe do të orientojë përpjekjet për mbrojtjen e habitateve të rëndësishme dhe të lidhjeve mes tyre.


