Maqedonia e Veriut
Takim në Shkup për Strategjinë Rajonale të Ruajtjes së Rrëqebullit të Ballkanit
Një takim rajonal i rëndësishëm i mbajtur në Shkup në Maqedoninë e Veriut, në fillim të qershorit 2025, ka bashkuar ekspertë dhe përfaqësues nga ministritë përkatëse nga i gjithë Ballkani, për të punuar për një strategji të përbashkët për ruajtjen e rrëqebullit të Ballkanit, i rrezikuar në mënyrë kritike.

© BLRP
Në datat 3-4 qershor 2025, në Shkup, në Maqedoninë e Veriut, u zhvillua takimi rajonal me ekspertë dhe përfaqësues nga ministritë përkatëse të vendeve të Ballkanit për të prezantuar draftin e parë dhe për të punuar së bashku mbi një strategji të përbashkët për ruajtjen e rrëqebullit të Ballkanit, një nga nënllojet më të rrezikuara të rrëqebullit në Evropë.
Ne kete takim morrën pjesë 38 pjesëmarrës nga vende të ndryshme të Ballkanit si pjesë e përhapjes historike të rrëqebullit të Ballkanit përfshirë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, Greqinë, Bullgarinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Takimi u finalizua me sukses edhe me një vizitë të realizuar në terren në Parkun Kombëtar të Mavrovës, habitatin kryesor të rrëqebullit të Ballkanit. Duke qenë se rrëqebulli i Ballkanit është përfshirë në Konventën për Speciet Migratore (CMS) që nga shkurti i vitit 2024, një nga hapat kyç është hartimi i kësaj strategjie bashkëpunuese rajonale për të garantuar mbrojtjen dhe ruajtjen afatgjatë të këtij lloji të rrezikuar.
Takimi u organizua nga MES dhe u drejtua bashkarisht nga Iskra Stojanova (UNEP) dhe Urs Breitenmoser (Grupi Specialist për Macet i IUCN-së). Kontributet virtuale nga Clara Nobbe (CMS) dhe Marta Medlinska (Konventa e Bernës) theksuan rëndësinë ndërkombëtare të kësaj nisme të përbashkët.
Kjo strategji është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës të mbështetur nga Programi për Ruajtjen e Rrëqebullit të Ballkanit (BLRP), i cili luajti një rol kyç në përgatitjen e takimit. Puna për draftimin e Strategjisë Rajonale nisi gjatë Takimit të Partnerëve të BLRP-së në nëntor 2024, dhe vazhdoi më pas me katër takime online me pjesëmarrje rajonale, realizuar gjatë muajve prill dhe maj 2025. Kjo qasje e përbashkët siguron që dokumenti përfundimtar të pasqyrojë prioritetet e përbashkëta dhe nevojat specifike të ruajtjes në nivel rajonal.
Në muajt në vijim, puna do të përqëndrohet në përmirësimin e draftit dhe përfundimin e rishikimeve të fundit, me një synim të qartë: të sigurohet një qasje e unifikuar dhe e mbështetur në shkencë për të garantuar të ardhmen e rrëqebullit të Ballkanit dhe habitatit të tij të brishtë.