Aktivitete në Ditën Ndërkombëtare të Rrëqebullit
Çdo vit, më 11 qershor, kremtohet Dita Ndërkombëtare e Rrëqebullit. Në këtë ditë, organizatat në vendet që përbëjnë habitatin e rrëqebullit zhvillojnë aktivitete të ndryshme për të tërhequr vëmendjen mbi statusin kritik të rrëqebullit të Ballkanit. Në vitin 2025, partnerët tanë e nderuan këtë ditë të veçantë me aktivitete të shumta.

© MES
Kosovë: Ekspozitë me Fotografi nga Kamerat Kurth
Partneri i Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit (BLRP), organizata ERA, organizoi një ekspozitë me fotografi të realizuara nga kamera kurth, të cilat dokumentojnë praninë e faunës së egër në pyjet e Kosovës dhe theksojnë rëndësinë e mbrojtjes së habitateve të tyre.
Përveç ekspozitës, u dhuruan materiale edukative për tre institucione arsimore: në shkollat “Ramiz Sadiku” dhe “Dardania”, si dhe në kopshtin “Brezi i Artë”. Këto materiale synojnë të mbështesin edukimin mjedisor dhe të frymëzojnë brezat e rinj drejt një ndjeshmërie më të lartë ndaj natyrës.
Shqipëri: Bashkimi i Aktorëve të Ndryshëm
Në Shqipëri, aktivitetet u zhvilluan në Razëm, Shkodër, ku BLRP dhe partneri lokal PPNEA bënë bashkë përfaqësues të komuniteteve lokale, institucioneve shtetërore, organizatave për ruajtjen e natyrës dhe menaxherë të Zonave të Mbrojtura.
Një nga momentet kyçe në Simpoziumin për Korridoret Ekologjike, ishte premiera e një dokumentari të ri për rrëqebullin e Ballkanit dhe diskutimet mbi rëndësinë e korridoreve ekologjike. Këto peizazhe të ndërlidhura janë jetike për mbijetesën afatgjatë të rrëqebullit, pasi i mundësojnë atij lëvizjen, riprodhimin dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve të mjedisit.
Gjithashtu, u vlerësua kontributi i grupit të grave lokale “Zojat e Munellës”, të angazhuara në praktika tradicionale dhe monitorimi i rrëqebullit. U prezantua edhe nisma për shpalljen e Malit të Balgjajt si Park Natyror, duke theksuar rëndësinë e tij si një hallkë lidhëse mes habitateve të fragmentuara të rrëqebullit.
Maqedonia e Veriut: Zbulohet Murali i Rrëqebullit
Partneri i BLRP, Shoqata Ekologjike e Maqedonisë (MES), kremtoi Ditën Ndërkombëtare të Rrëqebullit me zbulimin e një murali të dedikuar rrëqebullit të Ballkanit dhe një ceremoni simbolike.
“Më në fund gjetëm një shtëpi për muralin, gjetëm artistin që e realizoi dhe një person me vizion, të hapur për bashkëpunime – drejtorin e Teatrit të Komedisë, Darko Spasov. Qëllimi ynë me këtë mural është të rrisim ndërgjegjësimin publik, jo vetëm në zonat rurale, por edhe në nivel urban. Kur situata bëhet e vështirë, na duhet mbështetje nga të gjitha shtresat e shoqërisë,” – u shpreh Dime Melovski, drejtues i Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit.
Përveç muralit të vendosur në fasadën e Teatrit të Komedisë, është vendosur edhe një tabelë informuese përpara godinës, e cila përmban të dhëna bazë mbi rrëqebullin dhe një kod (QR) që të çon në faqen e re të dedikuar për për këtëj lloj të rrezikuar.
Pas fjalimeve përshëndetëse, anëtarët dhe bashkëpunëtorët e MES-it u mblodhën në Bistro Comedy, ku në një atmosferë miqësore, patën mundësinë të ndanin reflektime mbi arritjet e deritanishme dhe të shkëmbenin ide për nisma e bashkëpunime të ardhshme.